12 aksidente dhe 18 të plagosur të shtunën në Shqipëri, shkak edhe reshjet

Lajme

Të shtunën më 5 nëntor, në vendin tonë janë regjistruar 12 aksidente me pasojë plagosjen e 18 personave.

Rikthimi i reshjeve të shiut ka shkaktuar problematikat e para dhe aksidente në disa prej akseve kryesore të vendit.

Aksidenti i parë ndodhi në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë në vendin e quajtur ‘Luza’. Dy makina u përplasën me njëra-tjetren duke lënë dy të plagosur, të cilët u dërguan në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës.

Pas kësaj në aksin e rrugës kombëtare Librazhd-Elbasan një makinë u përmbys në mes të rrugës. Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit.

Ndërkohë një aksident tjetër është shënuar në aksin Fier- Mallakastër, në fshatin Lalar. Dy automjete të dyja të tipit “Mercedes Benz” janë përplasur kokë më kokë me njëra tjetrën duke lënë të plagosur 3 persona të plagosur.

Një aksident i katërfishtë është shënuar në Bulqizë ditën e sotme ku një furgon është përplasur me tre makina të tjera. Fatmirësisht nuk ka pasur dëme njerëzore por vetëm materiale.

Një aksident i rëndë është regjistruar edhe në segmentin Kukës-Morinë, në “Rrugën e Kombit.” Një betoniere që drejtohej nga një shqiptar i Kosovës u përmbys në rrugë pasi shoferi humbi drejtimin. Pas aksidentit shoferi u dërgua menjëherë në spitalin e Kukësit. Ndërkohë që në Rrugën e Kombit kanë ndodhur edhe 2 aksidente të tjera.

Një përplasje e trefishtë automjetesh ka ndodhur në aksin Vau i Dejës-Bushat. Mësohet se për pasojë kanë mbetur të lënduar tre persona dhe prej tyre në gjendje të rëndë.

Ndërkohë një tjetër aksident ka ndodhur në Elbasan. Një makinë u përplas me një motor duke lënë të plagosur drejtuesin e motorit.

Një aksident i rëndë mes dy makinave është regjistruar në aksin Peqin-Elbasan. Dy automjete janë përplasur “kokë më kokë” me njëra tjetrën dhe kanë mbetur të plagosur disa persona. Shpejtësia e lartë dhe lagështira në rrugë dyshohet se janë shkaqet e këtij aksidenti të rëndë.

Një aksident tjetër ndodhi në aksin Fier-Lushnje. Tre makina u përfshinë në aksident, ndërsa njëra prej tyre u kthye përmbys.

Një aksident tjetër ka ndodhur në Librazhd. Ku dy automjete janë përplasur te vendi i quajtur Kthesa e Murrashit në Librazhd. Makinat e përplasura janë një furgon mallrash si dhe një makinë.

Lagështira në rrugë është vetëm një nga shkaqet e aksidentve pasi nuk përjashtohen manovrat e gabuara nga ana e shoferëve.