19 Miliard Lekë dëmi që qeveria i ka bërë Buxhetit të Shtetit/ Gangrena-oligarkët e Shëndetësisë

Lajme

19 Miliard Lekë është dëmi në Buxhetin e Shtetit i konstatuar nga KLSH. Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit Arben Shehu ka raportuar me fakte në Komisionin e Ekonomisë abuzimet për vitin 2021.

“Rreth 19 miliardë lekë, apo gati 159 milionë euro llogaritet dëm i pastër ekonomik, ndërsa pjesa tjetër i përket efekte negative në buxhet si pasojë e parregullsive në të ardhura e shpenzime. Shpenzime buxhetore të kryera përbëjnë 33.6% të prodhimit të brendshëm bruto.

Defiçiti buxhetor ka rezultuar 85 mijë e 397, milionë lekë, është përdorur 71% dhe janë realizuar vetëm 95% të shpenzimeve. Buxheti i vitit 2021 është karakterizuar nga ndryshime të shumta, duke nisur në muajin shkurt dhe duke u mbyllur vetëm një muaj para përfundimit të vitit.

Numri i lartë i ndryshimit tregon se buxheti fillestar nuk ka qenë realist dhe kjo gjë lëkund besueshmërinë”,-deklaroi ai.

Abuzimet më të mëdha janë bërë me koncesionet në Shëndetësi, kjo pasi kompanitë koncesionare vazhdojnë të marrin para për shërbime të pakryera.

“KLSH ka konstatuar problematika me koncesionet në shëndetësi lidhur me pagesat e shërbimeve të pakryera duke sjellë një efekt negative për buxhetin e shtetit. Kjo shfaq dhe punën jo sistematike.

Të ardhurat nga tatimet dhe nga fondet special nuk janë mbledhur. Ka tejkalim krahasuar me të ardhurat e planifikuara, të ardhurat në Tatime dhe Dogana janë tejkaluar, TVSH-ja brenda për 1180 milionë lekë nuk është mbledhur.

Janë konstatuar shkelje të disiplinës si në performancën e administrimit të të ardhurave në zëra të caktuar, ashtu edhe në përdorimin joeficent të fondeve publike”,-shtoi Shehu.

771 Milionë Lekë janë shkeljet nga bashkitë për sa i përket tenderave. Për drejtuesin e KLSH, prokurimet publike kanë abuzime në disa komponentë si kontratat dhe afatet e punimeve.

“Përsa i përket fushës së prokurimit publik, ka mangësi të konstatuara në përgatitjen e kontratave, zbatimin e tyre, dorëzimin në kohë të punimeve. Janë gjetur dhe shkelje në tendera. 771 milionë lekë shkelje në buxhetin vendor”,-përfundoi ai.