“450 milionë euro është një përrallë”, Rama merr në mbrojtje inceneratorin e Fierit: Si mund të cilësohet kriminale kjo kryevepër?

Lajme

Ndonëse prokuroria ka konstatuar se kemi të bëjmë me një aferë të mirëfilltë korruptive,

kryeministri Edi Rama nuk tërhiqet nga mendimi që ka për inceneratorët. Ai ishte sot në Fier dhe e mori në mbrojtje impiantin.

Sipas tij, nuk mund të kriminalizohet një vepër reale dhe prekshme për banorët e Fierit si impianti i mbetjeve, i cili i ka kthyer tashmë frymëmarrjen gjithë qytetit.

“Si mund ta pranojmë ne që një vepër kaq e rëndësishme, kaq domethënëse dhe kaq reale e prekshme në jetën e banorëve të Fierit, për mushkëritë e fëmijëve dhe të moshuarve dhe të të gjithëve atyre që jetojnë në Fier siç është impianti i trajtimit të mbetjeve, të jetë vepër kriminale. Ky impiant që na ka dhënë mundësinë ta fshijmë komplet atë kodrën e turpit të plehrave që rrinte aty dhe qelbte gjithë ajrin e Fierit prej 30 vitesh, të kriminalizohet për shkak se në procesin e ndërtimit të këtyre impianteve ka patur veprimtari korruptive. Si mund të flitet për 450 milionë euro që qenkan vjedhur. Si janë vjedhur? Si mund të vidhen paratë të cilat nuk janë derdhur. Nuk ekziston 450 milionë euro është një përrallë“, tha Rama.

Rama theksoi se impianti është aty është fizik, është i dukshëm dhe kodra e madhe e plehrave që tymoste gjithë qiellin e Fierit nuk është më aty.