Avokati nxjerr emrin e politikanit që ka në dorë provat se ku e ka fshehur Meta e Berisha floririn e vjedhur: Ja si po i pastrojnë paratë

Lajme

Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka rrëzuar padinë e bërë nga avokati i njohur, Idajet Beqiri për Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët i akuzon për megagrabitjen e floririt të Krrabës. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Beqiri hedh akuza “bombë” për dyshen Meta-Berisha.

Ai zbulon se këta dy politikanë po pastrojnë paratë e vjedhura në Qipro, në Zvicër, në Angli dhe San Marino. Avokati paralajmëron se do të nxjerrë fakte tronditëse, me prova dhe me dëshmi rrëqethëse kundër këtyre kokave më të mëdha të krimit të organizuar dhe korrupsionit, siç janë Ilir Meta dhe Sali Berisha.

Sipas tij, Meta dhe Berisha kanë pastruar para në Qipro, Zvicër, Angli, San Marino dhe Afrikë. Gjithashtu, avokati ka treguar detaje dhe kërcënimet e Sali Berishës me dosje për politikanë të njohur në Shqipëri. Njëri nga ata që është kërcënuar dhe po mbahet ende me kërcënime nga Sali Berisha është Ilir Meta.

-Z.Beqiri, SPAK rrëzoi padinë tuaj për Sali Berishën dhe Ilir Metën si grabitësit e Floririt të Krrabës, si e komentoni?

Vjedhja e floririt të Krrabës tashmë ndodhet për t’u gjykuar në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Kjo Gjykatë do të vlerësoj vendimmarrjen e SPAK-ut për mosfillimin e proçedimit penal ndaj dy autorëve kryesor të vjedhjes së 11 arkave me flori të Thesarit të shtetit që ndodhej në Krrabë, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Bie në sy fakti që institucionet e shtetit shqiptar, posaçërisht Ministria e Financave të Republikës së Shqipërisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Avokati i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, madje edhe vet Kryeministri Edi Rama, kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë qëndrime indiferente, neglizhuese dhe deri të dënueshme ligjërisht, pasi nuk e kanë konsideruar dhe nuk e konsiderojnë vjedhjen e Thesarit të shtetit si një krim të rëndë shtetëror, në dëm të interesave të vendit dhe të popullit shqiptar.

Këto institucione të larta të shtetit, edhe pse nga inventari i kryer në Rezervat e Floririt të shtetit shqiptar mungojnë 11 arka me flori dhe të kallëzuarit për këtë grabitje të pasurisë kombëtare janë ish Presidenti i Republikës Sali Berisha dhe ish Kryeministri Ilir Meta, edhe pse kundër tyre rregjistrohet një proçedim penal, nuk bëjnë detyrën kushtetuese dhe ligjore për të siguruar zëvëndësimin e dëmit që kanë pësuar financat e popullit shqiptar.