




Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, e ka bërë të qartë se bashkimi i PD nuk do të thotë aspak se ata njohin Sali Berishën kryetar.





I ftuar në një intervistë televizive, Bardhi deklaroi prerë se ai nuk ka qenë në krah të Sali Berishës dhe nuk do të jetë në krah të tij. Po ashtu shtoi se nuk tërhiqet nga asnjë prej deklaratave që ka bërë për ish-kryeministrin.





“Nuk ka ndryshim qëndrimi për çështjes që na ndajnë. Nuk ka kushte për çështjet që na bashkojnë. Halli që na bashkon për zgjedhjet lokale është si të mundin 61 kandidatët tanë, 61 kandidatët e Ramës.





Nuk kam qenë në krah të Sali Berishës për shkak të problemit që ka me SHBA. Nuk kam qenë në krah të Berishës dhe nuk do jem, por kjo nuk më pengon të jem në krahë të kandidatëve.
E rëndësishme që demokratët të bëhen bashkë, të bashkëpunojnë në nivel lokal dhe të mundin Ramën. Unë jam me Amerikën në çdo rast. Nuk kam ndryshuar asnjë qëndrim për Berishën”, tha Bardhi.





Ai u ndal dhe te negociatat me grupin e Berishës. Bardhi sot pati një takim me Edi Palokën, ku u shpreh se palët duhet të dalin me një kandidat të përbashkët, pasi vetëm kështu nuk mundet që të fitojë Edi Rama.





“Nëse qëndrojmë të ngurtë, i fituari i madh është Edi Rama. Unë nuk i kërkova asgjë z. Paloka dhe ai nuk më kërkoi asgjë. Ne ramë dakord që nuk do nxjerrim detaje nga ajo bisedë. Ishte tërësisht konstruktive. Unë dhe z. Paloka në ato bisedime hynim në mënyrë të sinqertë bashkëpunimi se si arrihet bashkimi opozitar. Jemi në retorikë, mund të kemi më shumë se sa një ide. Unë nuk dua të bëj negociata në televizor. Nëse jap opsionet këtu nuk kam pse të ulem në tavolinë. E rëndësishme është që të biem dakord që nuk ka kushte dhe të bëjmë teatër për demokratët. Nëse ne biem dakord, po jemi të hapur, nuk jemi të ngurtë në pozicionet që kemi pasur deri tani sepse interesi është të bashkojmë demokratët, z.Paloka mund të vijë me disa opsione dhe unë mund të shkoj me disa opsione”, tha Bardhi.
Në takimin që patën mes tyre Bardhi dhe Paloka nuk është se arritën në një konkluzion, ndërkohë që priten takime të tjerë në ditën në vijim.