




Euronews Albania shkruan se Belind Këlliçi është gati të shpalosë kandidaturën për kreun e Bashkisë së Tiranës.
Këlliçi pritet të dorëzojë kandidaturën pasdite e sotme.





Pas kësaj, ai do t’i nënshtrohet proçesit të primareve, por fakti që është dhe kandidat i Ilir Metës, duket se tashmë është përcaktuar se do jetë ai kandidati i opozitës për Tiranën.





Belind Këlliçi u zgjodh deputet i Partisë Demokratike për Qarkun Tiranë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021 dhe ka mbajtur detyrën e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike që prej Dhjetorit të vitit 2015.
Në vitin 2022, Belind Këlliçi ishte anëtari më i votuar i kryesisë së Partisë Demokratike.





Pas vendimit të Lulzim Bashës për të larguar nga Grupi Parlamentar i PD-së Sali Berishën, FRPD dhe Belind Këlliçi iu bashkuan Foltores.
Në 11 dhjetor 2021, Belind Këlliçi u zgjodh nga delegatët si drejtuesi i Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, nga ku Lulzim Basha u shkarkua si kryetar i PD.





Gjatë Kuvendit Kombëtar u krijua Komisioni i Rithemelimit të PD, mandati i të cilit zgjati deri në 22 maj, ditën e zgjedhjes së Sali Berishës si kryetar i PD. Këlliçi ishte pjesë e Komisionit të Rithemelimit. Ai gjithashtu drejtoi punimet e Kuvendit Kombëtar të 30 prillit 2022.
U duk se më pas marrëdhënia e tij me Berishën u ftoh, por duket se marrëdhënia e tij e mirë me Ilir Metën, ka ndikuar për përzgjedhjen si kandidat për Tiranën.
Aq më tepër që Meta synon të jetë kryetar i Këshillit Bashkiak dhe për këtë, i duhet një kryebashkiak i besuar.