Bileta avioni për zyrtarë shteti? Reagon ashpër Kryemadhii dhe shtron pyetjen: Po 800 milionë lekët që ka harxhuar inceneratori i Tiranës për udhëtime, kanë financuar ndonjë fluturim VIP?

Lajme

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka reaguar pas lajmeve në media se inceneratorët kanë paguar bileta avioni për zyrtarët e shtetit. Me anë të një postimi në Facebook, Kryemadhi shtron pyetjen nëse 800 mln lekët që ka harxhuar inceneratori i Tiranës për udhëtime a është financuar ndonjë fluturim VIP?

“Qenkan mbushur mediat me lajme se inceneratorët kanë paguar bileta avioni për zyrtarët e shtetit. Po 800 milionë lekët që ka harxhuar inceneratori i Tiranës për udhëtime, kanë financuar ndonjë fluturim VIP, për ndonjë ministër dhe deputet Rilindas, apo për shoqërueset e tyre?”, shkruan Monika Kryemadhi.

Sot u zbardhen udhëtimet që “bosët” e inceneratorëve bënë me supervizorin Arben Dervishaj, ish-deputetin socialist Alqi Bllako si dhe ish-drejtoreshën e koncesioneve në Ministrinë e Mjedisit, Etleva Kondi.

Biznesmeni Dervishaj, përfaqësues i shoqërisë Ave Consulting i cili kishte cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve pranë shoqërisë koncesionare Tecnology Easte Treatment Fier e Klodian Zotos rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit në shoqërinë e biznesmenit, ndërsa në raste të tjera me familjarë të tij, por shpenzimet janë paguar nga bosi i inceneratorit të Fierit, që tashmë është në arrati.