




Emiriana Sako, Kryetarja aktuale e Bashkisë Durrës në vend që të merret me problemet e mprehta sociale të bashkisë që drejton, duket se e ka mendjen vetëm për të shpërdoruar paratë e marra nga taksat e qytetarëve të saj. Siç të gjithë jemi dëshmitarë, çmimet e produkteve bazë janë rritur deri aty ku nuk mban më.





Inflacioni i lartë ka goditur të madh e të vogël, sigurisht ata që merren me punë të ndershme, e sidomos shtresat në nevojë. E megjithatë Kryetarja e Bashkisë Durrës gjen kohë dhe harxhon gati 50 milionë lekë të vjetra me TVSH për të blerë një skenë lëvizëse prej 100 metrash katrorë.





Skena është mjaft e madhe, thuajse sa një apartament i bollshëm 2+1+2. Kjo skenë i duhet zonjës në fjalë për koncerte e aktivitete të ndryshme a thua se barku i durrsakëve në vend të bukës do ngopet me muzikë. Për këtë Sako ka organizuar një tender të çuditshëm që mban numrin e referencës REF-42050-09-16-2022 dhe me objekt “Skenë Levizëse 100 m2”.





Duke shfletuar dokumentat e këtij tender shikohet se kjo skenë nuk i shërben zonjës Sako “për të ushqyer” të varfrit me bukë, por me muzikë. Themi kështu pasi skena nevojitet për orkestra, grupe, skena teatrore dhe konferenca.





Por përtej kësaj, vetë tenderi është kryekëput i dyshimtë në vetvete. Kështu së pari kemi të bëjmë me një mungesë totale konkurrence pasi në garë ka marrë pjesë vetëm një subjekt i quajtur “Lumturi Haxhijosifi”.
Lumturia rezulton se ka garuar “me veten e saj” dhe ka fituar për një vlerë prej 4,100,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 50 milionë lekë të vjetra me TVSH. Së dyti, del se kjo vlerë është gati sa 100% e fondit limit, përkatësisht sa 98.4%. Vjedhja duket “ashiqare” por vetëm SPAK është qërruar dhe nuk arrin ta shohë.