Doktor Alimehmeti shpall kandidaturën: Tirana është e sëmurë, vetëm puna do e shërojë! Merrni pjesë në protestën e datës 12 nëntor

Lajme

Mjeku Ilir Alimehmeti ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për në ‘Primaret’ e Rithemelimit për të garuar për kryebashkiak të Tiranës. Alimehmeti me gjuhën e një mjeku ka thënë se “Tirana është e sëmurë dhe ta gjithë bashkë duhet ta shërojmë”.

“Me të njëjtën ndërgjegje qytetare, me të njëjtat vlera dhe me të njëjtin seriozitet, duke ndjekur hapat e prindërve të mi më parë, vij para jush për t’ju dedikuar plotësisht Tiranës dhe komunitetit të saj, pasi Tirana jonë është e sëmurë dhe në gjendje krize miqtë e mi.

Dhe, miqtë e mi, Tirana i ka të gjitha mundësitë për t’u shëruar dhe ringjallur, vlerat dhe bukuria e saj mund të ripërtëriten, por kjo mund të ndodhë vetëm përmes punës, mundit dhe djersës, ndërgjegjes qytetare dhe kontributit të çdonjërit prej nesh që ka vendosur të ndërtojë jetën në Tiranë, përfshirë këtu edhe mua.

Sot, në shërbim të komunitetit, unë kandidoj im në zgjedhjet primare për Bashkinë e Tiranës pranë Partisë Demokratike të Shqipërisë, me besimin e plotë se procesi i Primareve do të jetë plotësisht transparent, i besueshëm dhe shpresëndjellës.

Pranë Partisë Demokratike të Shqipërisë gjej njerëz, profesionistë dhe personalitete, që ndajnë të njëjtat shqetësime, kanë të njëjtën ndërgjegje qytetare, kanë të njëjtat vlera, dhe kanë të njëjtin besim se vetëm puna, mundi dhe djersa e pashtershme mundet ta shërojë Tiranën tonë dhe të çojë përpara zhvillimin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të Tiranës sonë.

Ky ekip nuk është hermetikisht i mbyllur. Ai është një ekip i hapur dhe do të pasurohet me figura dhe profesionistë të tjerë me vlera të pamohueshme si nga forcat aleate, si nga shoqëria civile, pasi Tirana është e jona, është e të gjithëve ne”, tha ai.

Në fund ai i ftoi të gjithë në protestën e 12 nëntorit.

“Së fundmi, dua të bëj një thirrje patjetër të marrim pjesë masivisht në protestën kombëtare të datës 12 nëntor 2022 pikërisht në Tiranën tonë, për të filluar çrrënjosjen e të keqes që ka pllakosur në çdo prag. Unë ju ftoj ju, të merrni pjesë masivisht në Protestën Kombëtare të 12 Nëntorit!

Unë ju ftoj ju, të merrni pjesë masivisht në Primare! Unë ju ftoj ju, ta shërojmë të gjithë së bashku Tiranën tonë! Tirana është e jona”, tha ndër të tjera Alimehmeti.