EMRAT/ ‘Më kërkuan 16 mijë euro për legalizimin e hotelit’, SPAK çon në gjyq zyrtarët në Sarandë

Lajme

Rreth gjashtë muaj pas arrestimit të dy zyrtarëve të Hipotekës në Sarandë, Prokuroria Speciale ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen ndaj tyre.

Procedimi penal ndaj zyrtarëve Laert Pasha dhe Saimir Bako, pas denoncimit të tyre në një emision televiziv ku kryenin legalizimin e ndërtesave kundrejt përfitimeve monetare.

“Nga hetimet e kryera u administruan prova që vërtetojnë se të pandehurit Hamza Tola dhe Jorgo Kreku kanë kryer veprën penale ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’, të parashikuar në nenin 245/ 1 paragrafi 4 i Kodit Penal, për arsye se, me veprimet e tyre, ato i kanë kërkuar shtetasit Kastriot Kreku një përfitim të paligjshëm monetar, që varionte nga 1000 Euro deri në 3000 Euro, duke i premtuar ndërhyrjen tek të pandehurit Laert Pasha dhe Saimir Bako, të dy punonjës të ASHK-së Sarandë, me qëllim për ta ndihmuar atë në procedurën e pajisjes me certifikatën e pronësisë”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Ndërkohë, gjithashtu u administruan prova që vërtetojnë se të pandehurit Laert Pasha dhe Sajmir Braho, punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Sarandë, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, me qëllim marrjen në favor të tyre të një përfitimi të paligjshëm monetar që varionte nga 1000 deri në 3000 Euro.

Në përfundim të hetimit, Prokuroria e Posaçme më datë 01.11.2022 ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykim dhe aktet në ngarkim të të pandehurve të ish-zyrtarëve, Laert Pasha, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer ne bashkëpunim, Saimir Braho, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer ne bashkëpunim dhe qytetarëve Hamza Tola, i akuzuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe Jorgo Kreku, i akuzuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ndërkohë, hetimet janë pushuar për shtetasin Kastrit Kreku, personi i cili ka denoncuar aktin korruptiv.