Faktet dhe dëshmitë/ Si manipulua vdekja e 32-vjeçarit, nga deklaratat e policisë dhe mjekëve, te përgjegjësia e Ardi Veliut

Lajme

Si për çudi, skema është e njëjtë me rastet e mëparshme dhe në krye të AMP është i njëjti person Ardi Veliu,

i cili duket se është kthyer në mjeshtër të manipulimeve.

Nuk ka më asnjë dyshim se vdekja e 32-vjeçarit Lear Kurti është manipuluar.

Ndonëse kryeministri çirret në ekran duke u stërbetuar se atë nuk e vrau policia,

në fakt kjo e fundit është përgjegjësja kryesore për vdekjen e tij.

Sot prokuroria doli me një deklaratë zyrtare, duke zbuluar në fakt se i riu mund të ishte shpëtuar dhe manipuluesja më e madhe del policia me AMP.

Fillimisht patëm një deklaratë ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e drejtuar nga Ardi Veliu shprehej se i riu u shoqërua në komisarit, por aty u ndje keq dhe u dërgua në spital ku dhe ndërroi jetë.

“Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shëndetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë”, tha AMP.

Më pas kemi spitalin, i cili u shpreh se ai ka mbërritur i vdekur dhe ata e kaluan te morgu pasi nuk kishin se çfarë të bënin.

Më pas kemi një tjetër deklaratë të AMP dhe të prokurorisë, ku sërish kemi manipulim të ngjarjes. “Në datë 19.10.2022, ora 23:07, punonjësit e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë patrullimit në Rr. “Riza Çuka” në zonën e Laprakës kanë konstatuar një person duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e një verifikimi”, thuhet në deklaratën e AMP. Në fakt videot e publikuar, tregojnë se i riu nuk qëndronte fare para një biznesi. Ai ishte duke ecur në rrugë dhe ishte me telefon në vesh në momentin që e ndalon patrulla.

Më pas AMP korrigjon deklaratën e parë dhe shprehet se ai u dërgua në spital, ku aty u konstatua se kishte ndërruar jetë. Por këtu dalin blof si policia ashtu dhe Spitali i Traumës. Tashmë janë bërë publike imazhet që tregojnë se i riu në fakt është shtrirë duke marrë serum.

Manipulimi më i madh ka ndodhur me procedurat e shoqërimit të tij. Policia shprehet se ai u shoqërua pasi nuk i qëndroi patrullës dhe iku me vrap. Në fakt videokamerat e bizneseve tregojnë se ai që në momentin e ndalimit ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. I riu shihet i shtrirë në rrugë dhe policët e shtyjnë dhe nuk i ofrojnë ndihmë shëndetësore. Madje ata në vend që ta dërgonin në spital, e kanë dërguar në komisarit.

Elementi tjetër është dhuna. Nëna e të riut, por dhe fotoja e publikuar nga spitali tregojnë se ai ka hematoma në trup. Nëna e tij tha se ai është dhunuar mizorisht. Vetë policia nuk e pranoi dhe madje kryeministri mburrej në TV. Por prokuroria sot u kujtua ta pranojë, duke marrë nën hetim policët. Nga ana tjetër kemi të përfshirë dhe spitalin, të cilët po ashtu kanë dashur të heqin përgjegjësinë nga vetja duke bërë ping-pong me jetën e një të riu.

Si për çudi, skema është e njëjtë me rastet e mëparshme dhe në krye të AMP është i njëjti person Ardi Veliu, i cili duket se është kthyer në mjeshtër të manipulimeve. Vetë institucioni ka ndryshuar disa herë qëndrime dhe u desh vetëm ndërhyrja e prokurorisë që të konstatohej se i riu është trajtuar në mënyrë shtazarake. /Pamfleti