Frrok Çupi: Ilir Metaj ka qenë spiuni i ish-Sigurimit dhe i Gazidedes, ja rruga që ndoqi Berisha për ta rekrutuar, në shtëpinë e kreut të “Foltores” ndodhen dosjet e spiunazhit të Faik Hotit, Ali Spahisë, Pjetër Arbnorit dhe Safet Zhulalit

Lajme

Analisti dhe publicisti i njohur, Frrok Çupi ka komentuar situatën politike në vendin tonë dhe jovetëm,

duke e ndalur theksin tek vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për t’i hapur rrugë zbardhjes së dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit,

bashkëpunimin Meta-Berisha dhe thirrjet e tyre për protestat, si dhe apelin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës për nisjen e ofensivës ndaj pushtetarëve dhe politikanëve të korruptuar e inkriminuar në vendin tonë,

me qëllim çuarjen përpara drejtësisë. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Çupi shprehet se ka ardhur koha që të ngihet një gjykata ndërkombëtarë për të hetuar krimet dhe aferat korruptive të ish-kryeministrit Sali Berisha, për shkak se ky i fundit ka ende impakt në sistemin e drejtësisë në vendit tonë,

ku shumë prokurorë dhe gjyqtarët janë ushtarë të tij besnik. Po ashtu, analisti i njohur, ka treguar rrugën edhe që ndoqi Berisha për të rekrutuar Metën si spiunë, pasi sipas tij, ky i fundit ka qenë më herët edhe bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.

Sipas zotit Çupi, ka qenë ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bashkim Gazidede, ai që rekrutoi Metën si spiun dhe që më pas e vuri në dispozicion të Berishës. Po ashtu, zoti Çupi shprehet se dosjen e ish-Sigurimit, Metës ia pastroi Berisha dhe që të ndodhur përpare kësaj situate të paprecedent, analisti i bëri thirrje SPAK të sekuestrojë dosjet e ish-Sigurimit që ka kreu i “Foltores”, për shkak se ky i fundit ka pasur akses të plotë në to gjatë kohës kur Shqipëria qeverisje prej tij në vitet 1992-1997. Disa prej dosjeve të spiunazhit që ndodhen në shtëpinë e Berishës janë ato të Ali Spahisë, Pjetër Arbnorit dhe Safet Zhulali.

-Zoti Çupi, Bashkimi Evropian kërkon arrestimin e politikanëve të korruptuar si kusht për të hyrë në BE, a kanë ndërkombëtarët një listë me emra që SPAK duhet t’i arrestojë?

Këtu, në vendin tonë, janë bërë shumë dëme të mëdha ndaj popullit. Por a kanë ndikuar këto dëme edhe në vendet anëtare të Bashkimit Europian?… Kjo është çështja, nëse e lidhim me kërkesën e BE për ‘burgimet e udhëheqësve të lartë’. Unë besoj dhe jo vetëm besoj, por jam dëshmitar, i dëmeve të mëdha që shkaktoi psh., Sali Berisha si president i Republikës sonë, ndaj Europës. Me akte e tij kriminale hodhi përdhe gjithë trashëgiminë ‘europianiste e perëndimore’ të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti dhe të Rilindësve tanë. Berisha iu bashkëngjit një ushtrie barbare në mes të Europës, siç ishte ushtria e Millosheviçit, e Mlladiç dhe Karaxhiç. Madje i furnizoi me armë dhe me energji. Njësoj si të ndodhte sot, kur Rusia po kërcënon Europën me ‘shkatërrim’ dhe dikush nga ne të hapte rubinetet e naftës e të gazit të Rusisë. Çfarë do të ndodhte? A nuk do të kishte gjyq? Berisha e tejkaloi edhe këtë. Ai sulmoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, tentoi të krijojë luftë civile në Kosovë, i bëri thirrje politikës së Kosovës që të mos ndiqnin strategjitë e Perëndimit në Rambuje të Francës… Krahas, që në ditën e parë të detyrës si president, e lidhi vendin në ‘molin’ e Arabisë Saudite dhe tëBahrejnit, teksa populli kishte ëndërruar Perëndimin… Por bendet anëtare të BE duhet ta njohin këtë dëm. Deri tani e ka njohur vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Roli i BE dhe i Perëndimit tani është ndërtimi i një gjykate të përbashkët, bashkë edhe me Shqipërinë, për dënimin e krimeve prej tre dekada të kryera nga liderët e lartë nëShqipëri. Modeli i parë ishte Gjyqi i Nurembergut. Aty u dënuan fajtorët e mëdhenj që u ndodhën në krah të Nazizmit. 200 zyrtarë të lartë u dënuan në Nuremberg- Gjermani dhe nja 1600 në gjykata të tjera të po këtij sistemi. Dihet që barra më e rëndë e krimeve të dy liderëve të lartë politikë tëShqipërisë kanë peshuar në Shqipëri dhe mbi shqiptarët. Por nëse Europa do të ‘lajë duart’ me krimin e këtij lloji në gjirin e saj, atëherë duhet të ndërtojë një gjykatë si ‘Nurembergu’ dhe të ndëshkohen këto krime. Ndryshe nuk ka shumë shpresë. Sepse krimi në Shqipëri është më i fuqishëm se sa fuqia e popullit.

-Sipas jush, kush janë pushtetarët e lartë shqiptarë të korruptuar në këto 30 vite? Flet dot Frrok Çupi me emra…?

Ky është hall i madh: Që zyrtarët e korruptuar, sa herë janë bërë votime, kanë fituar më shumë. Domethënë sa më shumë u thua ‘i korruptuar’, ata ndjehen më të përkëdhelur. Unë kam ‘gabuar’ në këtë taktikë. Që në 9 gusht 1991, në një intervistë shumë të lexuar të asaj dite botuar në “Koha Jonë” dhe në një gazetë në Suedi, kam shkruar fjalë për fjalë se ‘Partia Demokratike po vjen në skenë po aq dhe më e korruptuar sa edhe regjimi i Enver Hoxhës. Fjalë për fjalë kam shkruar se ‘Sali Berisha po ‘lufton’ kundër diktatorit, pa pasur asnjë strategji perspektive demokratike; e vetmja gjë që bën janë fjalët kundër Enverit. Më duket sikur ky ka hipur mbi karrocën e tij dhe gjuan me kamxhik karrocën paralele të Hoxhës. Por në fund të fundit, të dyja karroca janë’. Sali Berisha e korruptoi vendin në politika vdekjeprurëse, i solli vjedhjen si model, vodhi për vete e për rrethin e tij në mënyrë të hapët, ndërtoi firma piramidale për të larë paratë e tij të fituara në thyerjen e ‘embargos së naftës’ dhe në afera të tjera, mësoi edhe fëmijët e tij si të vjedhin e të korruptohen… E shikoni që ‘vjedhja dhe korrupsioni’ këtu janë kthyer në model. Ky është hall i madh: Sepse po ndodh që viktimat e korrupsionit i shkojnë pas ‘mbretit të korrupsionit’. Ka edhe një arsye pse ndodh kjo, sepse edhe ‘ushtarët’ e Mafies janë të korruptuar. E kam parasysh skemën: Nëse do të kishte një Nuremberg për korrupsionin, atëherë vargu do të ishte më i gjatë se 1600 sa ishte pas Nazizmit.

-SPAK ka rrëzuar padinë për ish-presidentin Ilir Meta dhe Sali Berisha për vjedhjen e Floririt të Krrabës me pretendimin se ka kaluar shumë kohë dhe grabitësit janë dënuar kohë më parë dhe ajo çështje është mbyllur, mendoni se Meta dhe Berisha i kanë zhdukur të gjitha provat?

Po, e lexova. Nuk prisja të kundërtën. Para se tërrëzohej padia për Floririn, para se të rrëzohet padia për Gërdecin e për 21 Janarin, për CEZ e për financimet ruse, para se të rrëzohet padia jote dhe imja, ambasadorja e SHBA na dha një njoftim: ‘Eeejtha- atë që pashë në strofkën e drejtësisë po ua them. “Kam parë prokurorë dhe gjykatës të joshur dhe të kërcënuar!”. Kush i josh gjyqtarë e prokurorë? Ti dhe unë që mbahemi me pagat mujore? Apo ata që kanë vjedhur pasurinë e madhe të vendit. Po të mos kishin vjedhur floririn, me çfarë do t’i joshnin gjyqtarët dhe prokurorët? Kam frikë se Shqipëria do të kthehet në një vend ku Sali Berisha dhe Ilir Meta do të lejohen të vjedhin dhe të vrasin, brez pas brezi. Ne të tjerët, çfarë do të jemi? Do të jemi gjahtarë që do të rendim për atje ku ka shtënë arma e këtyre dhe ka hedhur përdhè viktimën e radhës.