




Jemi në krizë, por kjo nuk e ndalon qeverinë të lëshojë muaj pas muaji koncesione me vlera të frikshme. I fundit kushton plot 320 milionë euro dhe është miratuar ditën e sotme për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e 42.2 kilometrave rrugë.





Bëhet fjalë për aksin Lekaj-Konjat-Fier dhe fituese e këtij tenderi është firma “Fusha SHPK”, bashkëpunëtore e ngushtë e qeverisë që nga ardhja në pushtet në vitin 2013. Aspak normal është fakti që “Fusha SHPK” ka qenë ofertuesi i vetëm në këtë tender, që do ta kishte zili çdo kompani.





Koncesioni me vlerë 320 milionë euro dhe afat 35 vite hyn në fuqi pas nënshkrimit dhe ka për objekt, projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Lekaj-Konjat-Fier. Segmenti nis në fshatin Lekaj dhe përfundon në fillim të “By Pass-it” të Fierit.





“Fusha SHPK” do të bashkëpunojë edhe me disa operatorë të tjerë ekonomik. Procedura e zgjedhjes së fituesit është bërë e hapur. Në garë ka qenë vetëm një ofertues, “Fusha SHPK” bashkë me bashkimin e përkohshëm të shoqërive.
Fitues të koncesionit janë:Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Fusha” sh.p.k. / NUIS J61922018S, “Agbes Construksion” sh.p.k. / NUIS K32807432ë, “Albavia” sh.p.k. / NUIS J81527001Q, “Kupa” sh.p.k / NUIS K51615512C, “Ante-Group” sh.p.k. / NUIS J62904100D, “Klodioda” sh.p.k. /NUIS K51813002H, “A.L.T.E.A. & Geostudio 2000” sh.p.k / NUIS J62026003M dhe “Sphaera” sh.p.k / NUIS J81809003U, me vlerë investimi 320,000,000 Euro pa TVSH.