




Pjetër Rushaj humbi jetën ditën e djeshme së bashku me djalin e tij Jason në Bogë të Malësisë së Madhe.





Të dy, bashkë me vajzën po udhëtonin me mjetin e tyre tip Mercedes Benz, por rrjedha e madhe e ujit ka marrë përpara Benzin e më pas edhe dy viktimat, që u gjetën të vdekur pas 16 orësh kërkimesh.





Pjetri ishte një biznesmen i njohur në zonën e Shkodrës, teksa kishte lënë Anglinë për tu vendosur në Shkodër, ku kishte ndërtuar dy shtëpi turistike në Bogë, së bashku me vëllanë e tij.





Pas shirave të shumtë, Pjetri ishte nisur të shkojë për të parë shtëpitë e tij nëse ka pasur dëme materiale.





Së bashku me Jasonin 14-vjeçar dhe vajzën 16-vjeçare, Rushaj ka tentuar të kalojë një përrua në zonën e “Grykë Lugjes”. Në atë përrua autoritetet nuk e kishin parë të arsyeshme të ndërtonin një urë, por banorët dhe makinat kalonin mes përroit. Rrjedha ka qenë aq e fuqishme, sa nuk e ka lejuar Benzin të përparojë.





Në atë moment, 50-vjeçari dhe dy fëmijët kanë mundur të dalin nga makina dhe Pjetri i ka kërkuar vajzës të shkojë në fshatin më të afërt për të kërkuar ndihmë nga banorët për nxjerrjen e makinës. Më pas një valë e fuqishme e “Përroit të Thatë” ka rrëmbyer djalin 14-vjeçar, ndërsa Rushaj është hedhur për të shpëtuar të birin.
Për fat të keq e gjithë kjo histori pati një fund tragjik, pasi asnjëri prej tyre nuk arriti të dilte i gjallë nga uji, teksa paraditen e sotme policia ka gjetur trupat e pajetë dhe makinën e dëmtuar nga përplasjet e shumta prej vërshimit të ujit. Trupat e pajetë janë gjetur 300 metra poshtë makinës.
Jasoni 14-vjeçar synonte të bëhej futbollist profesionist dhe ka qenë pjesë e ekipit të akademisë së futbollit, “Djelmnia Shkodrane”. Fatkeqësisht shokët nuk do të mund ta kenë në skuadër Jasonin për t’i pasuar në fushën e lojës. Babë e bir bëhen kështu viktimat e para të këtij dimri, por jo për shkak të natyrës.
Nuk ishte uji ai që i mori dy meshkujt e familjes Rushaj, por shteti, autoritetet e Shkodrës, që nuk kishin ndërtuar një urë modeste sa për të kaluar një makinë. Askush, asnjë drejtues i asaj zonë në 32 vite nuk e kishte parë të arsyeshme të ndërtonte një mbikalim në “Përroin e Thatë”, që dje vetëm i thatë nuk ishte.