KLP e pakënaqur me buxhetin e Qeverisë, deklaron se fondi i akorduar s’mjafton as për të paguar dritat, reagon Ministria e Financave

Lajme

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka kundërshtuar në Komisionin e Ligjeve projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, sa i përket numrit të punonjësve dhe fondeve të akorduara nga buxheti i shtetit për arkën e institucionit të tyre. Në fjalën e tij në Komisionin e Ligjeve, Alfred Balla tha në fjalën e tij se numri i punonjësve duhet të rritet nga 65 në 78,

por duket të ketë edhe rritje fondesh, pasi aq sa kanë marrë deri më tani, nuk u mjafton as për të paguar faturën e energjisë elektrike.“Ne jemi organ i pavarur, jemi pjesë e sistemit të drejtësisë. E përcaktojmë vetë strukturën tonë. Kur jemi krijuar, struktura jone përcaktohej nga Kuvendi, por tani puna jonë realizohet më mirë duke u shtuar. Buxheti ynë është modest, ne kemi vetëm 4% të buxhetit, Prokuroria e përgjithshme merr 66% dhe SPAK 30%. Kërkesat tona nuk janë të ekzagjeruara, por të nevojshme.

Sekretari i përgjithshëm i KLP: Kemi bërë kërkesë për blerjen e një serveri qendror, një vlerë 2.5 milionë lekë për dixhitalizimin e arkivës, si dhe kemi kërkuar edhe 5 milionë për pjesën e Sigurisë. Në mars na u ulën shpenzimet dhe pagat në një një vlerë të konsiderueshme gjë që bëri që sot të mos kemi fonde për dritat dhe ujin.

70% e fondit të shpenzimeve korrente shkojnë për dritat, pastrimin dhe mirëmbajtjen. Kërkesa jonë për 10 milionë lekë është minimumi që ne kërkojmë për të plotësuar detyrat tona për të qenë në rregull me shtetin”, tha ai. Përfaqësuesja e ministrisë, Vilma Causholli tha se kërkesa të tilla duhej të diskutoheshin në detaje prandaj momentalisht nuk mund të jepej një vlerësim për to.“Për disa kërkesa të institucionit nuk mund të jap një vlerësim, pasi nuk i kanë sjellë më herët. Në numrin e punonjësve nuk kemi parashikime të rritjes së numrit. Buxheti i KLP njeh rritje në % dhe shifra absolute, duke mbuluar të gjithë veprimtarinë bazë të institucionit”, tha ajo.