“Kriminelët e ndiejnë presionin”, Kim reagon për vizitën në GJKKO: Moment kritik për reformën në drejtësi, gjyqtarët të rezistojnë

Lajme

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka zbardhur detajet e vizitës në Gjykatën e Posaçme. Sot, diplomatja qëndroi për rreth një orë në GJKKO, ku ka takuar të gjithë gjyqtarët dhe në fokus duket se kanë qenë çështjet sensitive që ata kanë në duar.

Vizita duket se lidhet me një deklaratë të ambasadores pak ditë më parë, e cila u shpreh se gjyqtarëve dhe prokurorëve po ju bëhet presion.

Ambasada amerikane ka njoftuar se Yuri Kim, ka kërkuar nga gjyqtarët që të tregohen të fortë dhe të rezistojnë. Sipas saj, kriminelët dhe emrat e zhytur në afera po e ndiejnë presionin dhe për këtë arsye reforma në drejtësi ndodhet në një moment delikat. Por ajo e ka bërë të qartë se SHBA do të jetë në krah të tyre për të dërguar pas hekurave kriminalet dhe pushtetarët e zhytur në korrupsion.

“Vendimet tuaja kanë rritur besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë, u mundësuan partnerëve ndërkombëtarë që të fillojnë sërish t’u besojnë homologëve shqiptarë dhe më e rëndësishmja, u thanë njerëzve të këqinj se ligji po funksionon. Shqipëria nuk ka parë kurrë që zyrtarë të tillë të lartë të shpallen fajtorë me vendime përfundimtare.

Kjo është një kohë kritike për reformën në drejtësi. Kriminelët po e ndjejnë presionin. Kjo do të thotë se përpjekjet e tyre do të jenë edhe më intensive dhe ju duhet të rezistoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli shqiptar nuk duan që gjykata të kthehet në mënyrat e vjetra. Le të sigurohemi që ato kohë të mbeten në të kaluarën, njëherë e përgjithmonë”, u tha ambasadorja gjyqtarëve.

Por pak orë më pas Ambasada e SHBA ka reaguar sërish duke e ndryshuar deklaratën. Kim ka kërkuar hetim dhe ndëshkim për ata që kërcënojnë gjyqtarët.

“Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim vizitoi sot Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe u takua me gjyqtarët e saj. Ambasadorja i përgëzoi gjyqtarët për punën e palodhur dhe përkushtimin e tyre, pavarësisht sfidave. Duke nënvizuar se reforma në drejtësi është në një fazë kritike, ajo u bëri thirrje gjyqtarëve që të kryejnë punën e tyre me integritet, pavarësisht nga kërcënimet dhe nxitjet e atyre që kërkojnë të ruajnë mosndëshkueshmërinë ose privilegjin e tyre të paligjshëm. Kërcënime dhe nxitje të tilla janë në vetvete të paligjshme dhe duhet të hetohen dhe ndiqen penalisht. Siç thotë edhe tabela në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, “Ligji është i barabartë për të gjithë”. Kjo do të thotë se askush nuk është mbi ligjin. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fuqimisht sundimin e ligjit dhe, më gjerë, reformën në drejtësi, e cila është thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë si një aleate demokratike, e begatë e Shteteve të Bashkuara dhe anëtare e Bashkimit Europian“, tha ambasada në deklaratën e dytë.