Kush janë “dosjet e nxehta”që po zien vendi, SPAK gati goditjen e madhe për politikanët e përfshirë në korrupsion dhe vrasje

Lajme

Ora e arrestimeve të VIPave të korrupsionit në Shqipëri po vjen dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për herë të katërt në 10 ditë, po flasin për kërcënime e shantazhe ndaj SPAK.

“Mjaft iu përgjigjët atyre telefonatave. Mjaft pranuat dhurata. Mjaft u frikësuat nga ato kërcënime”, ishin fjalët e forta të ambasadores së SHBA, Yuri Kim ditët e fundit.

Po çfarë prapaskenash fshihen pas këtyre sulmeve të nëndheshme nga pushtetarët e lartë të korruptuar? Gazeta “SOT”, ka mësuar se në duart e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po hetohen dosje të zjarrta,

të cilat pritet të tronditin themelet e politikës. Sipas informacioneve, mësohet se pas hapjes së këtyre dosjeve, SPAK pritet të firmosë dhjetëra fletë arresti, ku në pranga do të bien zyrtarë të pushtetit vendor,

ish-ministra dhe ministra dhe politikanë të lartë. Ditët në vijim do ketë lëvizje të bujshme nga Prokuroria e Posaçme dhe kjo është arsyeja që pushtetarët e korruptuar janë alarmuar dhe kanë nisur gjënë që dinë të bëjnë më mirë, kërcënime dhe shantazhe. Ka një presion të jashtëzakonshëm nga politika për institucionet e drejtësisë për të mos u marrë me këtë çështje. Por SPAK nuk do të ndalet nga asnjë presion, pasi ai u ngrit me ndihmën e SHBA dhe amerikanët vazhdojnë të investojnë shumë.

Dosjet e Ilir Metës në SPAK

Aktualisht në tryezën e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndodhen disa dosje të bujshme dhe mjaft të “nxehta”. Menjëherë pas kthimit nga Uashingtoni, Prokuroria e Posaçme nisi hetimet ndaj ish presidentit Ilir Meta për dy akuza. Korrupsion pasiv dhe falsifikim i formularëve janë dy veprat penale për të cilat po zhvillohen hetimet nga SPAK. Por jo vetëm kaq, pasi në SPAK janë depozituar dhe 3 padi kundër tij. Kemi një padi të gazetarit Adriatik Doçi për korrupsion. Po ashtu avokati Idajet Beqiri e paditi për ndërhyrjet estetike. Ndërkohë është dhe një padi e juristit Romeo Kara e transferuar nga Krimet e Rënda për aferën CEZ-DIA.

Dosjet e Sali Berishës në SPAK

SPAK po heton dhe Sali Berishën. Bëhet fjalë për dosjet e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” dhe ajo e “Gërdecit”, të cilat pritet t’i hanë kokën kreut të “Foltores”, duke e çuar në bankën e të akuzuarve. Vetë kreu i SPAK, Arben Kraja deklaroi pak ditë më parë se po të hetohen të gjitha rrethanat dhe shumë shpejt priten rezultate. “Kemi çështje në hetim që lidhen me ngjarjen e Gërdecit, ku humbën jetën fatkeqësisht 26 njerëz. Kemi çështje që lidhen me lobingun e partive politike, të cilat po i hetojmë. Në lidhje me Gërdecin, hetimet janë komplekse. Ka vështirësitë e veta, është kohë e gjatë që ka kaluar, por do të sqarojmë të gjitha rrethanat çfarë ka ndodhur brenda mundësive që kemi. Ne po hetojmë ngjarjen. Ish Ministri i Mbrojtjes është me statusin e personit në hetim për shpërdorim detyre, sepse atë status ka pasur, por u pezullua për arsye të imunitetit, ndërkohë pjesën tjetër po e hetojmë dhe nëse do të ketë prova, patjetër që do të ketë dhe akuza për atë që do të provohet”, tha ai.