




Ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, mbajti një vizitë zyrtare në datat 6-7 nëntor në Shqipëri.
Për qëndrimin e saj ka dhënë më shumë detaje ambasada amerikane në Tiranë.





Linda Thomas-Greenfield ka zhvilluar një sërë takimesh, duke nisur nga ai me presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama, ministren e Jashtme Olta Xhaçka deri tek ish-pjesëmarrësit e programeve të shkëmbimit të Ambasadës së SHBA për të mësuar mbi përvojat e tyre dhe ndikimin që ata kanë sot në Shqipëri.
Gjithashtu përfaqësuesja e SHBA në OKB ka vizituar sheshin Skënderbej dhe Shtëpinë e Gjetheve.





“Përfaqësuesja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, udhëtoi në Tiranë më 6-7 nëntor si zyrtarja e parë në nivel kabineti që viziton Shqipërinë që nga viti 2016. Vizita e saj përkoi me 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike dhe mandatin e parë historik të Shqipërisë si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gjatë vizitës së saj,





ajo vizitoi Sheshin Skënderbej dhe Shtëpinë e Gjetheve, u takua me Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama dhe iu bashkua Ministres së Jashtme Olta Xhaçka në një forum për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”. Ajo u takua gjithashtu me ish-pjesëmarrësit e programeve të shkëmbimit të Ambasadës së SHBA për të mësuar mbi përvojat e tyre dhe ndikimin që ata kanë sot në Shqipëri. Ambasadorja Thomas-Greenfield falënderoi popullin shqiptar për partneritetin dhe miqësinë e jashtëzakonshme mes vendeve tona. Ajo përsëriti mbështetjen e fuqishme të popullit amerikan për Shqipërinë në rrugën e saj demokratike dhe drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.