“Mbështesim propozimin franko-gjerman”, Escobar: Marrëveshja Kosovë-Serbi, çështje javësh

Lajme

I dërguari i Posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë, është çështje javësh.

Gjatë një interviste për mediat në Kosovë, ai ka thënë se është në dorë të të dyja palëve që të vendosin se kur mbyllet marrëveshja.

“Unë i kam dëgjuar kolegët e mi evropianë të flasin se kjo është çështje javësh dhe jo vitesh. Për një marrëveshje, për rrugën përpara. Prandaj, përtej kësaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë. Duke marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodhë, secili duhet të marrë përgjegjësi për të krijuar stabilitet, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon”, ka deklaruar Escobar.

Ai ka folur me tej edhe për propozimin franko-gjerman për marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë. Duket se SHBA e mbështet një skemë të tillë, pasi Escobar ka thënë se të gjitha propozimet që vijnë nga BE duhet të merren seriozisht.

“Ne do ta mbështesim këtë. Ne mendojmë, se sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht Serbisë, në integrimet euro-atlantike… Po, e mbështesim plotësisht. Dhe, më duhet të shtoj se ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane”, ka deklaruar Escobar në “Kanal10”.