




Ditën e sotme do të zhvillohet takimi i parë zyrtar mes grupeve të Enkelejd Alibeajt dhe Sali Berishës brenda PD-së për bashkimin e demokratëve që të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale të 2023.





Negociatorët që do të ulen tavolinë për palët janë janë deputetët Edi Paloka dhe Gazment Bardhi.
Takimi, pa praninë e mediave, pritet të mbahet sot rreth orën 11:00.





Dy të mandatuarit e Alibeajt dhe Sali Berishës do të ulen për të diskutuar mbi mundësinë e bashkimit në zgjedhjet vendore, për të rënë në konsensus për emrat e kandidatëve.
Dje Sali Berisha mblodhi në selinë blu drejtuesit politik të qarqeve për të diskutuar mbi aksionin politik të opozitës por edhe nisjen e procesit të primareve.





Por paralelisht me takimin e Berishës, në Kuvendin e Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj thirri deputetët e tij të grupit parlamentar.
Në takimin me dyer të mbyllura, Gazment Bardhi sqaroi para deputetëve komunikimin me Edi Palokën, ku ndryshe nga optimizmi në radhët e deputetëve të Berishës, ai ishte më skeptik.





“Disa ditë më parë unë pranova të jem personi që do të kontaktoj me z. Paloka i cili është mandatuar nga grupi tjetër i kolegëve të PD. Dua t’ju sqaroj se kam qenë në komunikim me z.Paloka por nuk jemi takuar për shkak se ai ka qenë jashtë shtetit. Kemi dakordësuar që të takohemi të martën. Fatkeqësisht paralelisht me këtë takim të parashikuar me z. Paloka nga media jam njohur me një mbledhje që do të zhvillohet në PD për nisjen e procesit të primareve. Kjo na bën të jemi përpara një fakti të kryer. Por unë do t’i qëndroj deri në fund vullnetit të shumicës për të kryer çdo diskutim në funksion të daljes me kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore”.
Përballë vendosjes në pozitat e faktit të kryer, deputetët Agron Gjekmarkaj dhe Flutura Açka i kërkuan kolegëve të tyre në grupin Alibeaj të nis puna për zhvillimin e takimeve dhe evidentimin e kandidatëve potencial për të dalë me emra të veçantë nëse negociatat do të dështojnë.
Një skenar i tillë do ta çonte Partinë Demokratike dhe opozitën në pozitat e 6 marsit, ku dolën me 2 kandidatë dhe rezultuan humbës në 5 nga 6 bashkitë ku u garua.
Sot pritet për t’u parë si do të shkojë takimi i parë për bashkimin e shumëpritur të PD-së.