




Nipi i ish-deputetit rilindas Sadri Abazi duket se noton në një det të vërtetë miliardash.





Shifrat që ai ka marrë nga thuajse çdo ent publik janë të “llahtarshme”. Tenderat e fituara prej tij, ndonëse gati në të gjitha rastet të dyshimta kanë qenë në nivelin e miliardave.





I tillë është edhe rasti i sotëm, ku ai ka përfituar jo pak por gati 7 miliardë lekë të vjetra me TVSH nga Redjan Krali i Bashkisë Kavajë.





Bëhet fjalë për një tender që mban numrin e referencës REF-39822-08-25-2022 dhe ka si objekt “Shërbimi i pastrimit të qytetit Kavajë dhe Njësive Administrative Synej, Luz i Vogël e Helmas”. Fondi limit për pastrimin e qytetit dhe dy-tre fshatrave të përmendur më sipër është llogaritur në 550,395,505 lekë të reja pa TVSH ose rreth 7 miliardë lekë të vjetra përfshirë TVSH.





Tenderi ashtu si thuajse të gjithë të tjerët ku nipi i Sadriut, Arbër Abazi, është shpallur fitues, është tepër i dyshimtë dhe i denjë për SPAK. Shikohet se në të kanë marrë pjesë vetëm 3 firma ku njëra prej tyre është paraqitur por nuk ka paraqitur ofertë.





Ky është një veprim tipik i firmave që hyjnë në tender sa për numër pasi dihet që në fillim se cili do të ishte fituesi. Ndërkaq nga dy firmat e mbetura të cilat ofruan vlerë, për habi fiton firma me vlerën më të lartë, pra kompania e Arbër Abazit.
Kjo kompani ka fituar për shifrën 549,298,645 lekë të reja pa TVSH ose rreth 7 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Shikohet qartë që vlera fituese është identike me fondin limit të tenderit, përkatësisht sa 99.8% e tij.
Bazuar në sa më sipër ka dyshime tepër të forta se fituesi i kësaj procedure ka qenë i paracaktuar, ashtu si thuajse në të gjithë tenderat e tjerë ku ky operator ka marrë pjesë. Ndërkaq ne i urojmë SPAK-ut gjumë të ëmbël!