




Pedagogët kanë vendosur t’u shkojnë deri në fund kërkesave për shtesë mbi pagë 50% në harkun e dy viteve.





Më të shumtë në numër, në protestën e djeshme sindikata që punon për hir të interesave të pedagogëve lajmëroi një tjetër protestë kombëtare, edhe më të madhe ku fton edhe studentët për qëllimin e përbashkët: financim më dinjitoz për universitetet.





Prej më shumë se një muaji, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve ka parashtruar përmes një peticioni nëntë kërkesa me karakter kryesisht financiar, në krye të të cilave është rritja e pagave të pandryshuara që në vitin 2004.





Dy ditë më parë, ata mbajtën protestën e parë kombëtare, e cila u mbështet edhe nga të rinjtë që sakrifikuan mësimin në këmbim të cilësisë së diplomës. Edhe këta të fundit nga ana e tyre kanë shprehur zemëratën ndaj qeverisë, e cila i ka lënë të vetëm përballë krizës së çmimeve.





Në ditën e pestë të qëndresës së tyre, mëngjesin e së premtes, pedagogë të shumtë u mblodhën para Universitetit Politeknik në vijim të protestave për më shumë fonde për IAL-të duke njoftuar edhe përshkallëzimin e aksionit, duke nisur nga e hëna. Pavarësisht deklaratave të Kryeministrit, ata e bënë të qartë se pa shtesë në pagë, nuk futen në auditorë.
Të hënën, në orën 11:00, protestë kombëtare, ku të gjithë pedagogët dhe studentët i ftojmë të jenë këtu dhe të diskutojmë. Le të kthehet ky peticion si një nismë për ndryshimin e situatës në universitete. U kërkojmë autoriteteve të dekanateve që të mbledhin asambletë dhe të vendosin mbi mënyrën si ata do mbajnë qëndrim ndaj peticionit.





Kërkojmë nga përfaqësuesit e studentëve të mblidhen dhe të diskutojnë për realizimin e këtij peticioni, që kërkesat të kenë impakt të përbashkët si te pedagogët ashtu dhe tek studentët. Nëse nuk do të ketë rritje të pagave, do vijojmë me protestën”, u shpreh kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi.
Pedagogu në Universitetin e Arteve, Ardian Isufi, deklaroi dje nga protesta se shtesa e aprovuar, më pak se sa inflacioni vjetor, është e papërfillshme dhe nuk çon asgjëkund. “7 % është indeksim sesa pagë e shtuar. 50% në dy vite akademike është minimum, është rritje cilësore dhe mbi të gjitha rishikimi i financimit si prioritet kombëtar.
Nuk duhet marrë vetëm elementi i pagës si një çështje e rëndësishme, por duhet marrë në tërësi platforma e re e arsimit që duhet të rishikohet, ligji i arsimit dhe një platformë ku duhet të jenë të qarta objektivat kombëtarë sa u përket universiteteve. Por deri kur do të vazhdojë kjo protestë?!
“Pa dyshim që bojkoti do vazhdojë, pa dyshim që qeveria duhet të marrë në konsideratë stafet akademike. Të mos fshihemi pas epiteteve dhe fjalëve të kota. Dita e hënë është një bojkot total, të mblidhemi këtu”, përfundon Isufi.
Referuar asaj çfarë thotë Kryeministri, që e cilëson protestën një grusht pedagogësh me interesa të ndryshme, edhe politike, njëri prej pedagogëve e pa me vend të sqarojë diçka në mbyllje të protestës.
“Kjo është një protestë intelektualësh, nuk është një protestë politike. Nuk shikohet nëse ka 2 apo tre veta më shumë a më pak. Prandaj jemi shumë të kënaqur me mbështetjen që kanë të gjithë pedagogët, stafi ndihmës akademik dhe gjithë administrata”.
Pas një jave pa mësim, edhe tjetra rrezikon njësoj. Pedagogët e Tiranës do të mblidhen te Korupsi, ndërsa ata në rrethe do të protestojnë pranë fakulteteve përkatëse.