Përplasja e Ramës me mediat, Ben Andoni “këshillon” kryeministrin: Mos fol nëse nuk ke fakte që ti provosh

Lajme

Analisti Ben Andoni në një lidhje skype me MCN TV ka komentuar lidhur me denoncimin e bërë nga kryeministri Rama për mediat kombëtare ku akuzon për lajme të rreme por pa përmendur emra.

Ai tha se është bërë e zakonshme tashmë nga kryeministri që flet me këtë gjuhë, ndërsa e cilësoi jo normale të flasësh pa pasur fakte.

Sipas Andonit, favoret që bëhen te media dihet që janë favore të lidhura me pronarët dhe se media në shumë momente ka bërë presione përmes tyre, një histori kjo që përsëritet për 30 vjet.

“Është bërë e zakonshme tashmë nga kryeministri që flet me këtë gjuhë. Besoj se ka institucione dhe ka emra ku duhet të adresosh shqetësimet e tua. Kreu i një ekzekutivi flet me argumentin e ligjit, por mënyra e tillë të flasësh pa emra, me pak fjalë dua të them që është një gjuhë që nuk i shkon kryeministrit. Nuk është normale që ne si pjesëtarë të medias, të merremi me një media tjetër që ka të gjithë instrumentet e veta të përballet. Qeveria vetë duhet të plotësojë dhe para se të akuzojë duhet të provojë thëniet e medias kombëtare dhe pastaj të akuzojë. Ajo është një media që ka historinë e vetë dhe drejtimin e vetë por s’më pëlqen të merrem me kolegët sepse u takon atyre të mbrojnë veten. Sa i takon Ramës, para se ti provojë këto të mos flasë se është një kod etike që nuk të lejon të flasësh në mënyrë të tillë. Favoret që bëhen te media dihet që janë favore të lidhura me pronarët. Në Shqipëri ka ose kërkohen favore dhe Rama e ka thënë shumë herë hapur këtë pjesën e favoreve. Nqs do donit dhe njëherë të themi emra po ju them se ka 4 organizata që merrem me këtë punë dhe s’na takon ne. Por po e them sërish që nëse nuk provon akuzat është e papranueshme të merresh me këtë. Media në shumë momente ka bërë presione përmes pronarëve të tyre një histori kjo që përsëritet për 30 vjet dhe s’besojn se do ndalet”, deklaroi Andoni.