Porti i Durrësit, Ramës “nuk i del e keqja” me Berishën: Sii mund të akuzohen investitorë si Alabbari për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit!

Lajme

Kryeministri Edi Rama vijon të mbrojë me fanatizëm projektin për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit. I vendosur me shpatulla pas muri, për shkak të “fake news-it” të dy-ditëve më parë dhe akuzave të opozitës se kontrata me arabët është ndërtuar në dëm të shtetit shqiptar, Rama ka kërcënuar fortë Sali Berishën, duke i kujtuar tragjedinë e Gërdecit.

Përmes një mesazhi në Twitter, kreu i qeverisë shkruan se nuk di si t’u shpjegojë partnerëve ndërkombëtarë se “si mund të akuzohen investitorë të kalibrit të Muhammed Alabbarit për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit”. Po ashtu, Rama shprehet i skandalizuar se si kundërshtarët politikë janë të aftë të shkojnë kaq larg derisa të “plasin rrugëve një llum të pashoq akuzash” për politikën e ditës.

Rama shprehet i çuditur se si investimi më i madh i huaj në rajon, që do të transformojë Durrësin e Shqipërisë dhe do të bëjë impaktojë drejt ekonomisë kombëtare, lexohet si defter hallvaxhinjsh. Ndërsa rithekson se ortakëria 33% në një investim të huaj, është më e mira që ka mundur të arrijë ndonjëherë shteti shqiptar, Rama paralajmëron demokratët për një goxha spektakël në seancën parlamentare të radhës.

“Çfarë s’po na dëgjojnë veshët për një prej kompanive më prestigjoze të Lindjes së Mesme dhe një prej investitorëve më të vlerësuar në industrinë globale të turizmit, që është fat, nder dhe mundësi e paçmuar t’i angazhojmë si partnerë të shtetit në Durrës!

Në një harmoni fatale të injorancës me ligësinë, motivuar prej urrejtjes politike si mishërim i mallkimit që e përndjek këtë vend në rrugën e shtetbërjes qysh prej 1912, ka plasur e dalë rrugëve një llum i pashoq akuzash mbi gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!

Investimi më i madh i huaj në rajon, që do të transformojë Durrësin e Shqipërinë dhe do impaktojë drejtëpërdrejtë ekonominë kombëtare, trajtohet si aferë katundi për pula, ndërsa kontrata më gjatë e negociuar e shtetit shqiptar me një palë tjetër, lexohet si defter hallvaxhinjsh!

Mirë vetes i thua duro si ke duruar se të dinë si veten e s’ke ç’u bën, po sekëlldi e madhe t’u shpjegosh të huajve se si mund të kulmojnë kaq lart injoranca me ligësinë dhe si mund të akuzohen investitorë të kalibrit të Muhammed Alabbarit për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit!

Shteti shqiptar ortak me 33% në një investim të huaj s’ka qenë kurrë dhe për këtë kemi negociuar kaq gjatë, e s’i ramë shkurt me ligjin e Shqipërisë 1 €uro siç do kishin bërë përbaltësit tanë pasi t’i kishin kërkuar 33% për vete apo siç e kishin zakon të thoshin “gjys për gjys”!

Po mezi po e pres seancën e parlamentit javën tjetër, ku të gjitha faktet do t’i ndajmë mirë e mirë me shqiptarët, se me të shiturit për rubla e me urrejtësit profesionistë të banaqeve mediatike, s’ka të bardhë që nuk kthehet në të zezë dhe s’ka diell që nuk mbulohet me shoshë!”– shkruan Rama.

A ishte përmendja e Gërdecit në këtë përplasje opozitë-mazhorancë një mesazh nga Rama drejtuar Berishës për të thënë: “thirri mendjes dhe mbyll gojën”?!

Vlen të theksohet se Mohamed Alabbar, i njohur si themeluesi i “Emaar Properties”, e zhvilluesi i Burj Khalifa, Dubai Marina dhe Dubai Mall, është paraqitur nga qeveria si investitor i projektit të portit të Durrësit. Aktualisht kompania e regjistruar në vendin tonë për projektin ka statusin e investitorit strategjik dhe për llogari të projektit janë vënë në dispozicion 209 pasuri shtetërore.

Kompania zotëruese e aksioneve ishte “Symphony Real Estate Development” që pak kohë më parë i kaloi aksionet tek NORTH EAST REAL ESTATE HOLDINGS LIMITED. Investimi për ndërtimin e këtij porti është 2 miliard dollarë. Në projekt përfshihet edhe ndërtimi i Portit të Thatë që do sjellë ndërtimin e hekurudhës që lidh Durrësin me Prishtinën, i cili është parashikuar të ketë një terminal, ku do përpunohen 100 mijë kontejner deri në 2050.

Sidoqoftë, demokratët: përfshi këtu grupin e Alibeajt dhe fraksionin e Berishës, kanë dalë kundër projektit duke theksuar se shteti del i humbur pasi po investojmë 615 milionë euro për të marrë në këmbim vetëm 280 milionë euro.