




Qeveria shqiptare ka në plan të ofrojë pasaportë shqiptare apo rezidencë për të huajt që pranojnë të blejnë një apartament në pallatet që ajo ka në plan të ndërtojë në Portin e Durrësit në projektin kontrovers të marinës.





Lajmi bëhet e ditur nga një kopje e projektmarrëveshjes mes qeverisë dhe kompanive private, projektmarrëveshje që po i nënshtrohet një shqyrtimi parlamentar me procedurë të përshpejtuar, ndërsa është negociuar privatisht në mënyrë të drejtpërdrejtë nga zyrtarët e qeverisë.





“Investitorët e huaj që blejnë drejtpërdrejt nga prona e Investitorit Strategjik në Projekt, do të kenë të drejtë të aplikojnë për shtetësi dhe/ose rezidencën e përhershme të Republikës së Shqipërisë,” shkruhet në nenin 10.11 të projektmarrëveshjes. Sipas saj, “kushtet dhe regjimin specifik që do të përcaktohet nga një vendim i Këshillit të Ministrave në bazë të kësaj Marrëveshjeje dhe të plotësimit të kritereve të kërkuara nga Legjislacioni i Zbatueshëm”, transmeton Reporter.al.





Kjo masë ka gjasa që do të shkaktojë shqetësim në Bashkimin Evropian, një institucion që ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se skema të tilla të shitjes së shtetësisë.
Pasaporta shqiptare ka marrë vlerë që nga viti 2010, kur Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi heqjen e vizave për shtetasit shqiptar. Për rrjedhojë, shqiptarët mund të udhëtojnë pa telashe në 65 vende, shumica e të cilave gjenden në Evropën Perëndimore.