




PS kundër heqjes së mandatit për Olta Xhaçkën, PD gati t’i drejtohet vetë Kushtetueses





Mazhoranca qeverisëse ka marrë në mbrojtje ministren Olta Xhaçka, duke bllokuar heqjen e mandatit të deputetes.





Sot Këshilli i Mandateve u mblodh për të diskutuar mbi kërkesën e PD, e cila kërkon që t’i hiqet mandati i deputetes, me argumentin se ka shkelur ligjin për konfliktin e interesit. Burri i ministres ka dalë investitor strategjik dhe ka përfituar prona në bregdet dhe sipas opozitës, kjo bie ndesh me ligjin.





Pas afro 4 muajsh zvarritje, sot u mblodh Këshilli i Rregullores dhe Mandateve për të diktuar raportin final. PD dhe PS kanë dalë me raporte paralele. Demokratët shprehen se ministrja është në shkelje flagrante të ligjit dhe çështja duhet të kalojë në Kushtetuese. Por PS e ka refuzuar këtë raport. Socialistët janë të mendimit se ministrja nuk ka shkelur ligjin dhe kanë votuar draftin e tyre që mbron Xhaçkën. Kjo manovër shkaktoi dhe debate.





Por Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka paralajmëruar se PD do t’i drejtohet vetë Gjykatës Kushtetuese.
“Unë e kolegia e mazhorancës nuk kemi rënë dakord për një raport të përbashkët se kolegët e mazhorancës kanë vendosur të marrin në mbrojtje ministren e kolegen e tyre Olta Xhacka. Qëndrimi i opozitës ka qenë që këtë çështje duhet ta shqyrtojë në themel Gjykata Kushtetuese. Ne nuk vendosim nëse një deputet ka ushtruar ose jo mandatin në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo që ne e Kuvendi vendos është për t’ia përcjellë për shqyrtim GJK. Siguroj koleget se çështja do dërgohet për zgjidhje të konfliktit të kompetencave në GJK e ne do mblidhemi përsëri këtu pas vendimit te GJK që do ju detyrojë ta dërgoni në këtë çështje në GJK.





Keni në dorë me forcën e kartonit për ta vonuar këtë çështje por s’do e pengoni kurrë zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për një deputete të grupit tuaj parlamentar, për një ministre që duke përfituar nga pozita e deputetes e ministres ka vendosur të bëjë milioner bashkëshortin e saj”, tha Bardhi.
Ndërsa mazhoranca vijon të mbrojë ministren. Sipas Klotilda Bushkës, nuk ka nevojë që çështja të shkojë në Kushtetuese. Edhe pse kemi një rast flagrant, mazhoranca duket se ka dale gjitha në mbrojtje të ministres.
“A është Kuvendi në kushtet që ti drejtohet Kushtetueses për t’a shqyrtuar çështjen? Nuk janë kushtet për vënien në lëvizje të Kushtetueses. Ne arrijmë në konkluzionin që nuk ka çështje që Kuvendi duhet t’ia dërgojë për shqyrtim Kushtetueses. Kërkesat e paraqitura nuk plotësojnë kriteret e Kushtetutës. Kuvendi në seancë nuk i diskuton raportet, e thotë kushtetuta dhe rregullorja”, tha Bushka.
Të dyja raportet do i shkojnë seancës plenare dhe do hidhen në votim, por PS e paralajmëroi se drafti i demokratëve do rrëzohet.
PS shkel ligjin
Por manovra e PS bie ndesh me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.
Kërkesa e demokratëve bazohet në nenin 70 të Kushtetutës i cili shprehet: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë”.
Ndërsa në nenin 119/1 të Rregullores së Kuvendit janë përcaktuar hapat që duhet të ndjekë Kuvendi pas dorëzimit të kërkesës. Sipas këtij neni, Kuvendi nuk vë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk ia nënshtron atë debatit parlamentar, pasi nuk i hyn themelit të çështjes për të vlerësuar nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij.
Sipas tij, vlerësimi nëse kemi apo jo konflikt interesi është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.