




Ndonëse e trumbetoi me të madhe se ishte PS që e bëri realitet reformën në Drejtësi, kryeministri Edi Rama ka nisur një sulm frontal ndaj togave të zeza. Pas sulmeve të pak ditëve më parë ndaj gjykatësve për ndërtimet pa leje, Rama këtë herë ka shigjetuar Prokurorinë e Tiranës.





Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka disa ditë rresht që ka paralajmëruar politikanët që të ndalin sulmet dhe akuzat ndaj sistemit të Drejtësisë.





Madje ambasadorja u shpreh hapur se ka emra që po i kërcënojnë gjyqtarët dhe prokurorët. Të parit që “i dogji” ishte Kryeministri, i cili e akuzoi ambasadoren se ndjehet komode teksa komenton vendimet e gjykatave kur nuk i shkojnë për shtat.





Por edhe pse i dërguari i DASH e tha hapur që Kim flet në emër të tyre, Rama nuk është ndalur. Këtë herë ai ka sulmuar shumë fort Prokurorinë e Tiranës. Pa dhënë shumë detaje, Rama tha se ky është kthyer në një institucion zullumqar. Ndërkohë që u kujdes të mos e fusë në të njëjtin “thes” edhe SPAK-un. Sulmet erdhën nga Dibra, ku u mundua të justifikojë udhëtimet me Charter.





“Janë gjëra që do sqarohen të gjitha. Por s’kanë faj se janë në prokurori për evazion me miliona dhe prokuroria nuk i prek me dorë. Dhe i tregojnë njerëzve lajmet, në kohën që duhet të përgjigjen për miliona që u kanë marrë shqiptarëve se nuk kanë paguar taksat që duhet të paguanin, ne kemi bërë punën tonë i kemi çuar në prokurori e ajo si prek, si prokuroria nuk prek të gjithë të mëdhenjtë, i çon atje shteti, tatimet e doganat e atje rritet pazari i prokurorëve të rrethit Tiranë që të jemi të saktë, të rrethit Tiranë se SPAK është tjetër gjë. Prokuroria e Tiranës është një zullum i madh i një sistemi që nuk është reformuar si duhet”, tha Rama.
Por deklarata e Ramës duket qartë që është një sfidë ndaj amerikanëve. Ambasadorja Kim e ka bërë të qartë se sulmet dhe presionet ndaj drejtësisë janë të patolerueshme për SHBA.
“Ne jemi të vetëdijshëm për më shumë përpjekje për të joshur ose frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, për të shtrembëruar drejtësinë, për të këmbëngulur në mosndëshkimin e të fuqishmëve, me fjalë të tjera, për t’i tërhequr në të kaluarën. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin, me integritet. Është koha për të thyer modelet e vjetra të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm në sistemin gjyqësor. Duhet të ecë përpara, jo mbrapa, madje as të qëndrojë në vend. Po i kushtojmë vëmendje të gjitha zhvillimeve dhe SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e reformës në drejtësi…”, shprehet ambasadorja amerikane.
Nuk dihet se çfarë e shqetëson Kryeministrin, por duket qartë se Drejtësia e re nuk po e kënaq shumë Bablokun./Pamfleti