




Dy fraksionet e Partisë Demokratike, “Foltorja” dhe PD zyrtare, dërguan dy kërkesa për të njëjtin objekt në Gjykatën Kushtetuese lidhur me votimin kundër të mazhorancës socialiste për ndërprerjen e mandatit të deputetes të ministres për Punët e Jashtme dhe Evropën, Olta Xhaçka. Si për çudi, të dyja palët kërkojnë rrëzimin e vendimit që mbron Xhaçkën si dhe shpalljen antikushtetuese që ajo të ushtrojë ende mandatin e deputetes.





Këto kërkesa janë kryer pasi prej muajsh të tërë, opozita akuzon ministren Xhaçka se është në konflikt interesi pasi bashkëshorti i saj, ish-deputeti i PS, Artan Gaçi, ka fituar nga kryeministri Edi Rama statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një resort turistik luksoz në një sipërfaqe 8 mijë m2 në Himarë.





Përballja për të njëjtën çështje, Berisha merr dyfishin e firmave të Alibeajt
Kërkesat u paraqitën në emër të dy fraksioneve nga deputeti Agron Shehaj për “Foltoren” dhe PD zyrtare nga Sekretari i Përgjithshëm i saj, Gazment Bardhi. Grupi i drejtuar nga ish-kryeministri Berisha siguroi 28 firma të deputetëve, ndërsa PD zyrtare, e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, dorëzoi kërkesën për heqjen e mandatit të ministres socialiste Xhaçka me 14 firma deputetësh. “Foltorja” mundi të siguronte dhe firmat e deputetëve të Partisë së Lirisë dhe Dashamir Shehit.





Shehaj: Qeveria përdor Parlamentin për të mbrojtur me vota korrupsionin
Deputeti demokrat Agron Shehaj, personi që dorëzoi kërkesën për heqjen e mandatit të deputetes së ministres Xhaçka, sulmoi mazhorancën socialiste se po mbron me votë dhe Kuvend aferat korruptive ku janë përfshirë zyrtarë të lartë të qeverisë së PS. Shehaj e konsideroi votimin e djeshëm të deputetëve socialistë si një ngjarje tepër të rëndë dhe të turpshme, pasi Parlamenti po legjitimon korrupsionin qeveritar. “Me këtë votim të turpshëm, maxhoranca e shndërroi Parlamentin edhe një herë tjetër në një mburojë për korrupsionin e qeveritarëve të saj. Ky është një akt shumë i rëndë. Kanë shfrytëzuar pushtetin për të vjedhur dhe për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe më pas kanë përdorur kartonët e Parlamentit si mburojë për korrupsionin e tyre”, u shpreh Shehaj.





Për rastin e ndërtimit të resortit turistik në Himarë, fituar nga bashkëshorti i ministres Xhaçka, deputeti i “Foltores” këmbënguli se është shkelje e hapur e ligjit të investitorit strategjik pasi asnjë zyrtar qeverie dhe pushteti lokal nuk duhet të fitojë tendera për ndërtime strategjike në vend. “Zonja Xhaçka nuk mund të jetë njëkohësisht edhe ministre e jashtme edhe investitore strategjike. Nuk mund të jetë edhe deputete edhe pronare e plazhit publik. Ndaj i takon Gjykatës Kushtetuese të marrë vendimin formal, të asaj që ligji e dhe Kushtetuta e diktojnë fare qartë”, përfundoi deputeti Agron Shehaj.
Kompania e bashkëjetueses me vëllain e Xhaçkës u themelua 3 muaj pas vendimit
Mazhoranca rrëzoi me 73 vota pro para dy ditësh mocionin për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pasi po kryen nepotizëm në shkelje të ligjit për investimet strategjike. Prej muajsh të tërë, opozita po përdor të gjitha mekanizmat për t’i hequr mandatin ministres së Jashtme tëShqipërisë, Olta Xhaçka, pasi akuzohet se ka përdorur lidhjet me pushtetin për të favorizuar bashkëshortin e saj, ish-deputetin Artan Gaçi të fitojë tender për ndërtimin e një resorti turistik në Himarë. Në mars 2022, qeveria i dha me koncesion 8 mijë m2 tokë në bregdetin e Himarës kompanisë “AGTTC Hotel Management” sh.p.k. për të ndërtuar një resort luksoz turistik të quajtur “Dreamades Luxury Suites” në fshatin Gjilekë të Himarës. Në fakt, dyshimet lindën pasi kompania në fjalëështë themeluar 3 muaj pasi qeveria shqiptare e shpalli investitor strategjik. “AGTTC Hotel Management” është regjistruar në pronësi të 30-vjeçares amerikane Taëni Lin Grzych-Sutton, e cila rezulton bashkëjetuese me vëllain e Olta Xhaçkës. Më pas, nga verifikimet doli që pas këtij projekti qëndron bashkëshorti i ministres Xhaçka. Kjo pasi në 2015 është regjistruar në QKB një kompani e quajtur “AG.TTC Sh.p.k”, në pronësi të Artan Gaçit.
Gaçi: Unë bëj investimin, Sutton menaxhimin, shmanga konfliktin e interest
Në një prononcim për “BIRN” në 3 mars 2022, Gaçi tha se për të mos krijuar konflikt interesi, ai vendosi të zgjedhë si bashkëpunëtore kompaninë me “përvojë?” “AGTTC Hotel Management” sh.p.k, e cila do menaxhojë hotelin dhe plazhin e Gjilekës, kurse ai do investojë paratë. Madje, Gaçi pranoi se e zgjodhi personalisht si bashkëpunëtore amerikanen Taëni Lin-Grzych-Sutton. “ ‘Pikërisht, për të shmangur këtë konflikt interesi, unë gjeta një kompani tjetër me përvojë në këtë fushë, e cila do të marrë në menaxhim hotelin dhe plazhin dhe unë jam thjesht investitori,’ shpjegoi Gaçi. ‘Kam folur me shumë juristë për këtë,” shtoi ai, ndërsa pranoi se kompaninë e Taëni Lin Grzych-Sutton e ka përzgjedhur ai”, shkruhet në artikullin e “BIRN”.
Juristja që regjistroi kompaninë e Sutton punon në kompaninë e burrit të Xhaçkës
Kompania “AGTTC Hotel Management” është regjistruar në 25 qershor 2021 në QKB nga juristja Iris Erebara, e cila në fakt, rezulton njëkohësisht juriste e kompanisë “AG.TTC sh.p.k.”. Skandali është thelluar teksa vetë kryeministri Rama ka shkelur ligjin për investimet strategjike si kryetar i Bordit të Agjencisë së Investimeve Strategjike ku kërkohet që “investitori strategjik” të ketë të paktën kapital 50 milionë euro dhe 20 investime të njëjta në shtete të huaja. Në fakt, kompania e ish-deputetit Artan Gaçi rezulton me kapital 5 milionë lekë dhe asnjë investim në turizëm.