




TIRANË- Detaje të reja janë zbuluar nga dëshmitari i ngjarjes së rëndë, ku Lear Kurti, humbi jetën në duart e policisë së shtetit.





Miku i Learit tregon në emisionin “Piranjat” të gjithë kronologjinë e ngjarjes, ndërsa rrëfen se i ka parë policët teksa dhunojnë shokun e tij.





Mes të tjerash miku i Learit njëherazi edhe dëshmitar i ngjarjes tregon se 32-vjeçari ka dhënë frymën e fundit në komisariat.





Ai rrëfen se ka kërkuar që të ndihmojë mikun e tij por policët nuk e kanë lënë.
Ndërkohë gjatë rrëfimit të tij i riu, mik i të ndjerit, tregon sjelljen jo korrekte të policisë. Ai është ankuar për dy nga efektivët e policisë.





Sipas tij një polic i ri në moshë i kishte bërë rolin e “gangsterit” duke i thënë se ai se njihte mirë se kush ishte. Ndërkohë për një efektive policie ai shprehet se e ka ofenduar duke i thënë “je edhe nga Kukësi edhe gangster”.
“Pash që ishin 3-4 patrulla. Dhe pash që po rrihej Leari barbarisht brenda makinës.” Kjo është dëshmia tronditëse e mikut të 32-vjeçarit të ndjerë Lear Kurti, për emisionin “Piranjat” në ABC.
Ngjarja e rëndë e së enjtes ka shokuar opinionin publik, ku 32-vjeçari Lear Kurti gjeti vdekjen në rrethana ende të paqarta në duart e policisë së shtetit. Menjëherë pas ngjarjes kishte një pafundësi alibish, që çuan në përplasje deklaratash mes institucioneve, konkretisht mes AMP dhe spitalit të Traumës. AMP pretendonte se 32-vjeçari ka ndërruar jetë në spital, por “Trauma” theksonte se tek ata i riu ka mbërritur pas asnjë shenjë jete.
Edhe vetë policia ishte konfuze në deklaratat e publikuar lidhur me këtë ngjarje të rëndë. Fillimisht, u tha se viktima kishte gëlltitur një dozë me kokainë, ndërsa më pas tha se ishin dy doza.
Por çfarë ka ndodhur në të vërtetët atë natë? Emisioni “Piranjat” ka marrë versionin e dëshmitarit okular në këtë ngjarje të rëndë.
“Dëgjova, fjalët shpejt, shpejt se iku. E kanë shoqëruar vetë në spital. Leari ka mbaruar brenda në Komisariat. Në spital ka shkuar i vdekur.” thotë miku i Lear Kurtit.
Ky person është dëshmitari kyç i kësaj ngjarje të rëndë, pasi ai ishte me viktimën deri në çastet e fundit të jetës së 32-vjeçarit. Ai tregon atë që përjetoi minutë pas minute.
“Unë isha me Learin atë natë. E kam takuar dy orë para ngjarjes dhe e lash tek ish-Filanto. Unë do të ikja për punët e mia dhe ai do ikte në punët e tij. Pastaj do të shkoja ta merrja prapë, se Leari ka ndenjur gjithmonë me mua. Dhe në momentin që po kaloja aty përball me spitalin në Laprakë, pashë që ishin 3-4 patrulla po rrihej Leari barbarisht brenda makinës.” shtoi shoku i viktimës.