SPAK bën bilancin muajit tetor: Kemi dërguar për hetim 70 të pandehur, kanë nisur hetimet për 8 çështje për korrupsion

Lajme

Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka bërë dje bilancin e punës për muajin tetor. Organi i akuzës bën të ditur se në një muaj janë paraqitur 9 kallëzime penale, nga të cilat për 5 kallëzime është vendosur mosfillimin e hetimeve. Po ashtu, në njoftimin e SPAK thuhet se janë regjistruar 9 procedime penale, nga të cilat, 1 procedim për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 8 procedime për vepra penale që lidhen me korrupsionin.

“Mbi disa tregues statistikorë të punës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për muajin Tetor 2022: Janë paraqitur 9 kallëzime penale, nga të cilat për 5 kallëzime është vendosur mosfillim i hetimeve; Janë regjistruar 9 procedime penale, nga të cilat, 1 procedim për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 8 procedime për vepra penale që lidhen me korrupsionin; Janë dërguar për gjykim 8 procedime penale me 70 persona të pandehur, nga të cilat,

2 procedime me 20 të pandehur për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 6 procedime me 50 të pandehur për vepra penale që lidhen me korrupsionin; Bazuar në kërkesat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme janë miratuar nga Gjykata e Posaçme 9 masa sigurimi personale ndaj 9 personave nën hetim; Pas kërkesave përfundimtare të prokurorëve të posaçëm janë dhënë nga Gjykata e Posaçme 2 vendime themeli, duke deklaruar fajtorë 4 të pandehur”, thuhet në njoftim. Nga ana tjetër,

SPAK thotë se janë vënë në ekzekutim 4 letërporosi të ardhura nga autoritetet e huaja gjyqësore dhe janë dërguar 2 letërporosi për ekzekutim autoriteteve të huaja. Sakaq janë sekuestruar 2 subjekte tregtare, 3 pasuri të luajtshme të llojit automjet, 3 pasuri të paluajtshme, nga të cilat, një sipërfaqe toke prej 1809 m² dhe 2 objekte.

“Bazuar në ligjin Nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, (të ndryshuar), janë sekuestruar me vendim gjykate 8 pasuri, si më poshtë: 2 subjekte tregtare; 3 pasuri të luajtshme të llojit automjet; 3 pasuri të paluajtshme, nga të cilat, një sipërfaqe toke prej 1809 m² dhe 2 objekte. Janë ekzekutuar 6 vendime penale të formës së prerë, nga të cilat 2 vendime të dhëna nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin dhe 4 vendime nga të dhëna nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Në zbatim të vendimeve të formës së prerë janë nxjerrë urdhra ekzekutimi për 19 persona të dënuar”, thuhet në njoftimin e SPAK.