




Që ambulancat e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore vonohen thuajse çdo herë që populli ka urgjencë, kjo tashmë është e ditur nga të gjithë.
Madje me qindra janë edhe denoncimet e mbërritura pranë Joq Albania në lidhje me problemin e vonesave të mbërritjes së urgjencës, duke treguar në këtë mënyrë menaxhimin skandaloz të këtij shërbimi nga drejtuesi aktual Skënder Brataj.





Por duket se këtë e ka pranuar “de facto” edhe vetë Veliaj, pasi ka organizuar një tender prej plot 60 milionë lekësh të vjetra me TVSH për të blerë apo marrë me qira një ambulancë që do të qëndrojë pranë Parkut të Liqenit Artificial.





Është mjaft interesante një frazë në dokumentacionin e tenderit ku shkruhet e bardha në të zezë se një nga arsyet kryesore për vendosjen e ambulancës është pikërisht “reduktimi i vonesës së kohës së përgjigjes ndaj emergjencave”.
Pra e thënë “shqip” Brataj nuk është i zoti t’i sjellë në kohë ambulancat pranë parkut të Liqenit në rast emergjence, prandaj Veliaj detyrohet të shpenzojë taksat e kryeqytetasve për të blerë apo marrë me qira një ambulancë.





Natyrisht është e qartë se Veliaj po e shfrytëzon këtë rast mjaft mirë për të “kullufitur” 60 milionë lekë nga tenderi që ka organizuar. Bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-45375-10-11-2022 dhe me objekt “Shërbim i Monitorimit dhe Menaxhimit të Poliemergjencave” me fond limit 5,416,667 lekë të reja pa TVSH ose rreth 65 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Përveç vendosjes së ambulancës, tenderi parashikon edhe instalimin e disa kamerave, sistemeve audio me box, dhe menaxhimin e këtyre shërbimeve nëpërmjet një salle operative.
Fituese e tenderit është shpallur kompania ROGAT SECURITY në pronësi të Begator Mane, me ofertën 5,148,900 lekë të reja pa TVSH ose rreth 60 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kjo shifër është sa 95% e fondit limit të tenderit duke ngjallur dyshime se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.