Vëllai i Sokol Olldashit i përgjigjet Berishës: Mashtron për garën në PD, kërcënove në telefon të gjithë krerët e degëve

Lajme

Vëllai i Sokol Olldashit, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Sali Berishës, sa i takon garës për kryetar të PD. Të hënën, Berisha u shpreh se nuk ndërhyri në garën mes Lulzim Bashës dhe Sokol Olldashit, duke deklaruar që Basha fitoi me meritë.

Por Ardian Olldashi, përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar ashpër. Ai shprehet se ishte Berisha, ai i cili favorizoi Bashën duke marrë në telefon të gjitha degët dhe kërkonte që të votonin për të.

“Nuk është e vërtetë! Ti e di mirë që Koli fitonte me çdo formulë. Të mërkurën në darkë, pra në datën 26.06.2013, Basha të erdhi në zyrë gati duke qarë dhe u këshillua me ty për një tërheqje të mundshme të tijën.

Për ç‘ arsye? Për arsyen se të dhënat që vinin e jepnin Kolin në avantazh.

Ti ke marrë personalisht në telefon pothuajse çdo kryetar nëpër rrethe. Natyrisht jo për ti uruar natën e mirë, sepse ne fakt ishte darkë, por për t’i kërcënuar me shprehje që më mirë mos t’i përsërisim.

Ty dhe jo vetëm ty të vjen spontanisht pyetja: Nga i ditkam unë këto gjëra?

I di nga ata që atë darkë ishin prezent në zyrën tendë.

Fatkeqësisht politika është i vetmi zanat për të cilin nuk bëhet shkollë. Rezultatet duken”, shkruan vëllai i Sokol Olldashit.

Të hënën Sali Berisha krahasoi të ndjerin Sokol Olldashi me ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Berisha thotë se Olldashi ka bërë gabim që ka dalë me mbështetjen e strukturave, ndryshe nga Basha që doli me anëtarët. Berisha tha se është habitur me këtë gabim të bërë nga Olldashi, duke pasur parasysh aftësinë e tij.

“Sokol Olldashi ishte më epror se Lulzim Basha, pa diskutim. Por Sokol Olldashi, megjithëse politikan i mençur dhe i vendosur, në mënyrë të habitshme për mua, bëri një gabim thelbësor në fushatën e Sokolit. Gabimi i tij ishte që mua më mbështesin strukturat, ato ishin pakica. Sokoli ishte një nga më të aftit dhe ishte i rritur në Partinë Demokratike, nuk arrita kurrë ta kuptoj se si doli me këtë tezë. E hapi fushën. Basha doli me tezën, jam me anëtarët. Kur e vendosa një anëtar një votë, nuk kishte dalë asnjë kandidat zotëri”, tha Berisha.