Zjarr i madh në kampin e refugjatëve në Gaza, digjen për së gjalli 21 persona

Lajme

Një zjarr i madh ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në Rripin verior të Gazës duke vrarë të paktën 21 njerëz, 14 fëmijë, 2 gra dhe 5 burra.

Zjarri shpërtheu në katin e tretë të një ndërtese trekatëshe në kampin e mbushur me refugjatë Jabaliya. Mbrojtja Civile në Gaza, e cila drejtohet nga Hamasi, e lidhi zjarrin me benzinën që po ruhej në ndërtesë por ende nuk dihet se si u ndez benzina. Zyrtarët janë ende duke hetuar ngjarjen e rëndë.

Flakët shpërthyen nga dritaret e ndërtesës ndërsa qindra njerëz u mblodhën jashtë në rrugë, duke pritur për zjarrfikësit dhe ambulancat.

Gaza, e sunduar nga Hamasi dhe nën një bllokadë gjymtuese izraelito-egjiptiane, përballet me një krizë të rëndë energjetike. Njerëzit shpesh ruajnë gazin e gatimit, naftën dhe benzinën në shtëpi në përgatitje për dimër.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas u shprehu ngushëllime familjeve të të vdekurve dhe e shpalli të premten ditë zie. Hussein Al-Sheikh, një zyrtar i lartë i Autoritetit Palestinez, i bëri thirrje Izraelit të hapë pikën kufitare me Gazën për të lejuar evakuimin e të plagosurve që kanë nevojë për kujdes të avancuar mjekësor në spitalet palestineze në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem.